Qytetarët pyesin Komunën

Përmes veglës Pyet…, publiku ka pyetur vendimarrësit për angazhimin e tyre sa i përket shërbimeve dhe projekteve publike. Në këtë artikull ju sjellim pyetjet e parashtruara nga qytetarët në adresë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, përgjatë periudhës nëntor-dhjetor 2015.

Kur do të asfaltohet rruga në Lagjen e Tetë(8)?

Rrugët në lagjen e VIII-të do janë prioritet i Komunës në këtë vit që sapo kemi hyrë, 2016.

Si mendoni të e zgjidhni problemin me qentë endacak ne Komunën e Gjilanit, duke e ditur se çdo ditë e më shumë po rrezikohemi prej tyre?

Baza ligjore për trajtimin e qenëve endacak në Republikën e Kosovës rregullohet me Ligjin Nr. 02/L-10, Ligji për Përkujdesjen ndaj kafshëve, Ligji Nr. 2004/21 për veterinarinë dhe Udhëzimi Administrativ Nr. 2005/10. Konform kësaj baze ligjore dhe procedurave të Prokurimit, Komuna e Gjilanit, dy vitet e kaluara ( 2014 dhe 2015 ) ka kontraktuar Strehimoren për përkujdesjen e Qenëve dhe Maceve endacak ,, AMIKA ’’ nga fshati Verbicë e Zhegocit. Kërkesa e jonë nga subjekti kontraktues ka qenë që me prioritet të trajtohet zona e qytetit, përkatësisht hapsirat te objektet shkollore, spitali dhe ambientet ku frekventimi i qytetarëve është më i madh. Gjithashtu, kemi kërkuar që rëndësi e veqant tu kushtohet qenëve që paraqesin mundësi infeksioni dhe këta pas zënjes të trajtohën me Eutanazi nga mjeku veterinar i kësaj strehimore. Kjo është zgjidhja ligjore, mjaft efektive por se problemi është se komunat fqinje nuk e trjtojnë këtë dukuri dhe migrimi apo lëvizja e qenve nga një komunë në tjetrën është shqetësuese. Ne do të vazhdojmë me të njejtën metodë, ndërsa do të kërkojmë që problem të trajtohet në nivel vendi.

Si ka mundësi që disa rrugë në lagjen Dheu i Bardh, rrugë afro 30 metra pa dalje të shtrohen me asfalt deri në derë të hyrjes, kurse rruga tek “Trafa”, afër ish Radio Megavoksit, është rruga 200 metra me më se paku 10 familje dhe është në gjendje të mjerueshme. Kur do të pajisemi me rrugë te asfaltuar?

Edhe kjo rrugë si shumë rrugë të tjera do të rregullohen gjatë këtij viti dhe duhet te kuptohet një gjë se është shumë e pamundur që në të njejtën kohe të punohet në të gjitha rrugët e qytetit, por jemi duke shkuar hap pas hapi.

Kur do të më jepet mundësia që unë si një infermier me përvojë të mos punojë më me kontratë në vepër, por të kalojë, si një punëtorë i rregullt, pasi që më keni premtuar edhe individualisht që do të kujdeseni për këtë?

E para, ne nuk kemi punëtorë me kontrate në vepër. Të vetmit të cilët punojnë në mënyrë tjetër janë ata të cilët kanë punuar me projektin e Caritasit, ku do të fillojmë në këtë muaj, ose aty-këtu ndonjë zëvendësim, kryesisht infermieret të cilat shkojnë në pushim të lehonisë dhe e vetmja mënyre për të kaluar si punëtor i rregullt është kur QKMF shpallë konkurs për pranimin e punëtorëve dhe pranohet me konkurs të rregullt.

Pse deri sot nuk është bërë asgjë për rregullimin e orës përballë Stacionit të Autobusëve, duke e ditur se ka marrë pamje të keqe ajo pjesë?

Sahat Kulla është në pjesën e renovimit, tash është tenderuar dhe do t’i jepet operatorit të ri për t’u përfunduar.

A do të vazhdoj ndriçimi publik në fshatin Kishnapolë, e që para 1 viti është lënë në gjysmë, duke u vendosur vetëm 3 drita?

Patjetër se do të vazhdoj projekti, jo vetëm në Kishnapole, por edhe nëpër lagjet tjera sipas prioriteteve.

Kur do të asfaltohet rruga Anton Qeta, që ndodhët në qendër të Gjilanit?

Në fillim të këtij viti, sapo të krijohen kushtet atmosferike.

Ç’far është duke u bë për projektet e fshatit Cërnicë, dhe nëse janë në prioritet, apo në shqyrtim e sipër, kur pritet të fillojnë dhe cili projekt do të fillojë së pari të zbatohet?

Në fshatin Cernicë dhe në të gjitha fshtrat e komunës së Gjilanit është duke u punuar me ngulm kryesisht në infrastrukturë: ndërtim të rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësit, trotuareve, fushat sportive etj. Do të vazhdojmë edhe sivjet investimet në këtë fshat për ta kompletuar infrastrukuturën dhe për t’ju mundësuar qytetarëve jetë dinjitoze.

A do të e shtroni edhe një pjesë të rrugës (afër 25 metra), pasi që kjo rrugë është në kuadër të rrugës Motrat Qiriazi e që rruga në fjalë”Motrat Qiriazi” është duke u shtruar?

Në ndërkohë do të shikohet mundësia e asfaltimit edhe të rrugës tuaj.

Kur do të rregullohet kanalizimi i rrugës mbas Lagjes së Kodrës së Dëshmorëve?

Sivjet, e kemi marrëveshjen me qeverinë e Austrisë për rregullimi i mbi 54km kanalizim, prandaj besojmë që edhe në këtë lagje do të rregullohet ky kanalizim.

Përse rruga afër spitalit nuk është e shtruar dhe po ashtu është pa ndriçim publik?

Projekti për këtë rruge eshte duke u bere dhe gjate vitit 2016 shpresojme te fillojne punimet per rregullimin e te gjith infrastruktures se kesaj rruge me prioritet

Qendra për Punë Sociale a i puneson vetëm personat që janë pjesë e partisë suaj, apo i punëson edhe personat tjerë që nuk janë pjesë të asnjë partie, apo anëtarë të partisë tjetër që nuk qeverisë në Komunën e Gjilanit?

Bazuar në kriteret e konkursit është e përcaktuar qartë mënyra e rekrutimit të zyrtarëve dhe stafit sipas përshkrimit të detyrave dhe nevojave në QPS. Plotësimi i kritereve e përjashton mundësinë e rekrutimit dhe pranimit të kandidatit të ranguar me poena më ulët, para atyre në krye të listës.

A duhet t’mbaj shpresat për një punësim në Komunën ku i kam mbaruar studimet dhe kam mbaruar 2 vite përvojë pune, apo te shikoj mundesinë tjetër atë të migrimit ilegal në një vend të BE-së ,si mendoni të e zgjedhni këtë problem?

Në Gjilan është treg i hapur dhe i lirë. Secili duhet të jetë konkurrues. Të gjithë ata që i kanë kryer studimet, janë të mirëpritur të jenë konkurrues dhe të integruar në administratën e shtetit apo në jetën në Kosovë.

Përpara se te bëheshit kryetar,gjate fushtaes keni premtuar qe do te repektojme ligjin e punë në sektorin privat. Qka konkretisht jeni duke punuar për këtë?Pse deri më tani nuk ka ndonjë përmirësim sa i përket kësaj qështje?

Komuna e ka një detyrë krijimin e ambientit për zhvillim lokal ekonomik. Ne kemi arritur t’i ulim të gjitha llojet e taksave dhe tarifave komunale në pikën zero për bizneset. Kemi inkurajuar bizneset, kemi krijuar ambient të qëndrueshëm, kemi larguar tendencat korruptive dhe ndikimet negative të biznesit…Gjatë mandatit tonë dy vjeçar kemi më shumë biznese të regjistruara dhe sipas regjistrit të qendrës së punës janë 860 punësime si pjesë e politikave të zbutjes, që është kryesisht sektori privat. Në sektorin tjetër të kontraktorëve që Komuna apo donatorët e Komunës ndërmarrin, kemi angazhime profesionale dhe punë sezonale poashtu, që një kategori e përfituesve, qofshin ata me kartela të punës apo me nevoja të veçanta si kategori e vecantë, angazhohen në punë sezonale.

Pse rëndësia për Hendbollin, Futbollin, Basketin është në nivelin më të ulët në Komunën tonë?

Nuk është e vërtetë që janë në nivelin më të ulët. Disa klube gjilanase janë shpallur kampion, e disa të tjera janë në maje të ranglistës. Komuna i ka subvencionuar me të gjitha kapacitetet të gjitha klubet gjilanase dhe gjatë këtij viti do të ketë edhe më shumë subvencione.

Për artikullin: Ky aktivitet për qëllim ka inkurajimin e publikut për të shtuar kërkesat për llogaridhënie, transparencë dhe përshije në proceset e vendimmarrjes nga qeverisja lokale e Gjilanit duke përdorur forma të komunikimit përmes mediumeve të reja digjitale.

Lini një Përgjigje