Pyetje nga diskutimi në Hang Out

Në fund të muajit nëntor 2015, zhvilluam një video diskutim me kryetarin e Komunës së Gjilanit dhe të rinjve që studiojnë në vende të ndryshme të perëndimit. Përveç, çështjeve të ngritura gjatë diskutimit në Hang Out, pjesëmarrësit patën edhe pyetje tjera të cilat i jemi adresuar Kryetarit të Komunës:

Si është qasja e kryetarit në raport me Rininë e Komunës së Gjilanit, si është duke funksionuar sektori i rinis pasi ka pas ndryshime, Kush janë përgjegjësit për rini që ne mund tu drejtohemi?

Para pak javësh kam emëruar Task Forcës 4-anëtarëshe për dekoncentrimin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Genc Mustafën e kam emëruar përgjegjës për sektorin e rinisë dhe besojmë shumë që do t’ia dalim t’i mbështesim kërkesat e rinisë gjilanase, e cila është prioritet i Komunës së Gjilanit.

Pse komunikimi me ty është shumë i vështirë?

Komunikimi me mua nuk është aspak i vështirë. Që nga marrja e mandatit për kryetar Komune, jam zotuar se jam në dispozicion të qytetarëve 24 orë dhe 7 ditë për zgjidhjen e problemeve të tyre me të gjitha kapacitetet komunale. Për çdo gjë mund të më kontaktoni përmes E-mail: [email protected]; Nr. Tel. +37744125666 si dhe mund të vini në zyrën time.

A është duke u punuar për Kinemanë e Qytetit?

Jemi në fazën e bisedimetve me blerësin e ri të objektit të kinemasë, si mundësi për ta funksionalizuar. Ky është opsioni i parë. Opsioni i dytë është se jemi duke biseduar me përfaqësuesit e Don Boskos për sallën e madhe të shkollës së mesme ta shfrytëzojmë përkohësisht për kinema deri në zgjidhje e problemit të ndërtimit të kinemasë së re apo të objektit multikulturor në Gjilan.

Në momentin që të gjithë njerëzit e zotë po na ikin jashtë vendit për perspektiva me te mira. Kush po na mbetet ne Gjilan?Dhe si mundemi te e Zgjedhim këtë problem?

Në fakt një numër i studentëve që kanë fat dhe mundësi po shkojnë jashtë vendit për të studiuar, ndërkaq pjesa më e madhe jetojnë këtu, jetojnë me familjet e tyre dhe në ambinetin e tyre. Zhvillimi ekonomik është e vetmja rrugë që garanton stabilitet dhe qetësi edhe për individin edhe për familjen që gjithçka është e lidhur edhe me politikat që qeveria ka ndërmarrë në këtë fazë për zhvillim ekonomik.

Pse puna e bibliotekës nuk është zgjidhur deri me tani. A mundet Kryetari të na caktojë kohën se kur do të munden të rinjtë të mësojnë ne bibliotekë regjionale, pasi që u bënë 8 vite qe janë duke thënë se jemi ne punime?

Çështja e bibliotekës është zgjidhur. Kemi arritur të ndikojmë të Komisioni Europian ta zgjedhin operatorin e ri.

Sa është punuar në drejtimin për Lumin Mirusha dhe kur pritet të përfundohet ky projekt?

Lumi “Mirusha” është në gjendjen që e kemi gjetur. Ne po bëjmë përpjekje dhe kemi mobilizuar përfundimisht fondin. E kemi arritur marrëveshjen e mirëkuptimit me Ministrinë e Mjedisit dhe besojmë shumë që Ministria e Financave konkretisht Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit, do ta sigurojnë fondin që Mirusha të përfundojë.

Buxheti që ndahet për Rini është shume i vogël, ku po shkojnë fondet që ndahen në fillim të buxhetit sipas ndarjes fillestare?

Buxheti është publik, është i hapur dhe secili që don mund të hyjë në ueb sajtin zyrtar të Komunës për t’i parë vijat buxhetore. Rinia si kategori e veçantë është e buxhetuar jashtëzakonisht ulët dhe prej vitit të ardhshëm po planifikojmë të subvencionojmë numrin më të madh të aktiviteteve dhe numrin më të madh të programeve që paraqet rinia. Në këtë vit Komuna ka subvencionuar aktivitetet e rinisë me shumën prej 18 mijë euro.

Çfarë është duke ndodhur me zhvillim ekonomik në Gjilan, ç’far aktivitete konkrete është duke marre Komuna e Gjilanit, që të zbus papunësinë e qytetarëve në Komunën e saj? Sa e ka ngjallë Komuna e Gjilanit frymën e ndërmarrësisë?

Komuna e ka një detyrë krijimin e ambientit për zhvillim lokal ekonomik. Ne kemi arritur t’i ulim të gjitha llojet e taksave dhe tarifave komunale në pikën zero për bizneset. Kemi inkurajuar bizneset, kemi krijuar ambient të qëndrueshëm, kemi larguar tendencat korruptive dhe ndikimet negative të biznesit…Gjatë mandatit tonë dy vjeçar kemi më shumë biznese të regjistruara dhe sipas regjistrit të qendrës së punës janë 860 punësime si pjesë e politikave të zbutjes, që është kryesisht sektori privat. Në sektorin tjetër të kontraktorëve që Komuna apo donatorët e Komunës ndërmarrin, kemi angazhime profesionale dhe punë sezonale poashtu, që një kategori e përfituesve, qofshin ata me kartela të punës apo me nevoja të veçanta si kategori e vecantë, angazhohen në punë sezonale.

A ekziston ndonjë person nga kabineti i kryetarit që merret kryekëput me çështjet e rinisë, apo a ekziston ndonjë këshilltarë i veçantë që merret me çështjet e rinisë kryekëput?

Po, është Genc Mustafa, i cili është i ngarkuar me çështjen e dekoncentrimit dhe koordinimit të aktiviteteve që lidhen me sektorin e rinisë në kuadër të Task Forcës.

A kemi ndonjë mundësi te integrohemi ne, nëse vendosim të kthehemi eventualisht ne Gjilan, dhe se a mundemi konkretisht po thuajse të e kemi punën e siguruar nëse veç kthehemi atje. Çka bëni ju si Komune konkretisht për qytetaret e Gjilanit që studiojnë jashtë Kosovës?

Është treg i hapur dhe i lirë. Secili duhet të jetë konkurrues. Studentët që studiojnë jashtë, janë të mirëpritur të jenë konkurrues dhe të integruar në administratën e shtetit apo në jetën në Kosovë.

Pyetje rreth Sahat Kullës, – çka do të bëhet me të? Çka po ndodh mbeturinat në atë hapësirë?

Saha Kulla është në pjesën e renovimit, tash është tenderuar dhe do të jepet operatori i ri për t’u përfunduar.

Kultura dhe sporti, si dy degë shumë të rëndësishme, ku të rinjtë gjilanas mund të japin një kontribut të veçantë, sa keni arritur që t’ua siguroni ambientet e nevojshme dhe kërkesat tjera për zhvillimin e tyre?

Tashmë Kultura dhe Sporti kanë përgjegjësit pas emërimit të Task –Forcës. Bashkim Nexhipi – aktor në teatër e udhëheq Task Forcën për Kulturë, Rini dhe Sport dhe do të merret me koordinimin e të gjitha aktivitetet kulturore në shërbim të organizimit mes zyrës së kryetarit, ndërkaq Kujtim Shahiqi vie nga fusha e kulturës dhe gazetarisë, është pjesë e ekipit që merret me punën e dekoncentrimit të plotë të institucioneve kulturore në varshmëri. Derisa nga sektori i sportit e kam emëruar Malazog Hoxhën, i cili është kryetar i Lidhjes Regjionale të Sporteve në Gjilan dhe ka për detyrë të koordinoj aktivitetet sportive dhe të gjitha organizmat, në mënyrë që ta përgatisim edhe sektorin e sportit për buxhetim, financim dhe kalendar sportiv. Kjo Task Forcë do të jetë në varshmëri të plotë të Zyrës sime dhe do të marrë për detyrë realizimin e të gjitha objektivave që i kemi vendosur, në mënyrë që tre sektorët e mëdhenjë: kultura, rinia dhe sporti, të zënë vendin meritor, përmes financimit të rregullt dhe buxhetimit të rregullt dhe kalendarit të rregullt.

Reformat e deritanishme në arsim nuk kanë qenë edhe aq të frytshme. A keni hulumtuar për të gjetur reforma tjera ku rezultatet do të ishin më frytdhënëse?

Arsimi i Gjilanit është vlerësuar dhe shpallur niveli më i mirë i arsimit fillor në Kosovë, jo vetëm për shkak të testit të arritshmërisë, por edhe për shkak të diciplinës e rregullit që kemi pasur në shkolla. Po punojmë edhe në përmirësimin e kushteve në shkollat e mesme dhe mundemi të themi lirisht se defektet që na ka lënë qeverisja e kaluar e PDK-së, edhe më tutje janë probleme dhe shqetësime serioze. Mbipunësimin dhe avaritë që i ka shkaktuar janë miliona euro për Komunën e Gjilanit. LDK-ja po vazhdon me disiplinë në zbatimin e ligjit dhe në vendosjen e një rregulli që do ‘ti realizojë të gjitha. Ka nisur zyrtarisht projekti për ndarjen e mbeturinave “Gjilani Riciklon” në 20 shkolla të Gjilanit. Sigurisht ky projekt ka për qëllim që të rrisë vetëdijesimin e të rinjve qysh në moshë të re lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së ambientit si dhe rëndësinë e reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit të mbeturinave.

Ç’farë do të ndodhë me mbeturinat e selektuara (plastikën, letrën, aluminin)? A është kontraktuar ndonjë kompani e cila do t’i riciklojë këto mbeturina?

Në komunën e Gjilanit ekzistojnë 8 kompani për grumbullimin e mbeturinave, duke përfshirë plastikën, aluminin dhe letrën. Komuna e Gjilanit duke u bazuar në kapacitetet dhe gatishmërinë e kompanive private për projektin “Gjilani Riciklon” ka përzgjedhur në bashkëpunim me organizatën GIZ kompaninë “Riciklimi” me të cilën është nënshkruar edhe marrëveshja e mirëkuptimit për grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme. Në bazë të gjendjes së fundit në terren dhe në bazë të dhënave që kemi pranuar nga GIZ dhe GAC-i, projekti “Gjilani Riciklon” është duke u implementuar sipas planit dhe dinamikës sipas marrëveshje së mirëkuptimit. Kompania e cila grumbullon mbeturinat e riciklueshme (kompania “Riciklimi”) një pjesë të fitimit e ndanë për fuqizimin dhe funksionimin e Klubeve të gjelbërta, të cilat janë krijuar në kuadër të të gjitha shkollave ku është duke u implementuar ky projekt. Faza e dytë e projektit “Gjilani Riciklon” do të përfshijë edhe 16 shkolla fillore në fshatrat e Komunës së Gjilanit.

Sa është investuar në rritjen e efikasitetit së shërbimeve të komunës? A ka pasur ndonjë investim së fundmi në sistemet informative? A është shqyrtuar mundësia e ofrimit të vetëshërbimit digjital për certifikata, ekstrakte apo shërbime të gjendjes civile sikurse ka filluar të funksionojë në Prishtinë?

Për dy vite të qeverisjes në Gjilan ne e kemi reformuar Administratën, e kemi bërë shumë më efikase se që ka qenë. Kemi realizuar shërbimet për nxejrrjen e çertifikatave online, pastaj shërbimin e zyreve të hapura “One Stop Shop” që është lehtësim i madh për qytetarët, kemi arritur që në bashkëpunim me Postën e Kosovës ta vendosim një zyre për pagesa brenda objektit, sikur edhe që kemi realizuar projektin Puna në Distancë.

Gjilani me rrethinë e ka tokën mjaft pjellore për zhvillimin e të gjitha degëve të bujqësisë. Cilat janë prioritetet tuaja për zhvillimin e tyre?

Në vitin 2014 mbi 2 milionë euro janë investuar në sektorin e bujqësisë, që perfshinë grantet dhe subvencionet nga Ministria e Bujqësisë, si dhe subvencionet dhe investimet kapitale nga Komuna e Gjilanit. Ndërkaq, në vitin 2015, janë mbi 2.5 milionë euro investime në bujqësi. Si asnjëherë më parë, Komuna e Gjilanit iu ka dalë në ndihmë bujqve dhe në këtë mënyrë i kemi forcuar financiarisht familjet gjilanase. Me intensitet edhe më të madh do të vazhdojmë investimet në këtë sektor, i cili është prioritet yni.

Çka është duke ndodhur me rrugët e Gjilanit, si janë duke u trajtuar pasi flitet se janë ndarë diku 4 milion euro për rregullimin e të gjitha rrugëve? Pse nuk rregullohen edhe kanalizimet?

Rrugët dhe kanalizimet në Gjilan janë duke u rregulluar me dinamikë shumë të madhe. Për dy vjet, kemi ndërtuar qindra kilometra rrugë me asfalt e rrugë të rendit të tretë, sikur edhe qindra kilometra kanalizim e rrjet të ujësjellësit. Në vitin e ardhshëm do të vazhdojmë ndërtimin e hyrje-daljeve me katër korsi, përkatësisht Gjilan-Bujanoc, Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj. Me dinamikë shumë të madhe do të vazhdojmë t’i realizojmë premtimet në që i kemi dhënë në fushatë për katërshen e madhe të prioriteteve infrastrukturore.

Për artikullin: Ky aktivitet për qëllim ka inkurajimin e publikut për të shtuar kërkesat për llogaridhënie, transparencë dhe përshije në proceset e vendimmarrjes nga qeverisja lokale e Gjilanit duke përdorur forma të komunikimit përmes mediumeve të reja digjitale.

Lini një Përgjigje